

Prindërit e së ndjerës Ilaria Sula kanë ndarë një dëshmi tronditëse mbi vrasjen e vajzës së tyre, gjatë një interviste në emisionin Verissimo në Itali.
Gezime Sula dhe Flamur Sula rrëfyen momentet e fundit të komunikimit me vajzën e tyre dhe bindjen se krimi ishte i paramenduar. Sipas tyre, 25 marsi 2025 ishte dita e fundit kur folën me Ilarian, duke shtuar se ajo është vrarë po atë ditë.
Autor i krimit dyshohet të jetë ish-partneri i saj, Mark Samson, i cili fillimisht tentoi të fshehë ngjarjen duke inskenuar largimin e saj. Ai dërgoi mesazhe nga telefoni i viktimës drejt familjarëve dhe miqve për të krijuar përshtypjen se ajo ishte larguar me dëshirë.
Shqetësimi i familjes u rrit kur Ilaria nuk mbërriti në destinacionin e saj, pasi duhej të kthehej nga Roma, ku studionte. Prindërit udhëtuan menjëherë drejt kryeqytetit italian dhe bënë denoncimin në polici, ku u përballën edhe me autorin e dyshuar.
“Na tha se nuk e kishte parë prej një muaji dhe u betua se nuk do t’i bënte kurrë keq”, kujton Flamur Sula, duke shtuar se deklaratat e tij rezultuan të pavërteta.
Zbulimi i krimit erdhi pas ndërhyrjes së vëllait të viktimës, Leon, i cili arriti të lokalizojë telefonin e saj në banesën e autorit. Ky fakt çoi hetuesit drejt zbardhjes së ngjarjes dhe më pas drejt pranimit të krimit.
Trupi i pajetë i 21-vjeçares u gjet më 2 prill, i futur në një valixhe dhe i hedhur në një humnerë. Në fshehjen e krimit dyshohet se ka ndihmuar edhe nëna e autorit, e cila ka pranuar dënimin me burg.
Mes dhimbjes së thellë, rrëfimi i nënës së Ilarias mbetet ndër më prekësit.
“Ashtu si e preka për herë të parë kur lindi, e sistemova me duart e mia për herë të fundit. I blemë një fustan princeshe, sepse ajo ishte princesha e shtëpisë”, u shpreh mes lotësh Gezime Sula.
Ajo tregon se shkon çdo ditë pranë varrit të së bijës, duke folur me të për ëndrrat që nuk arriti t’i realizojë, ndërsa kërkon drejtësi për krimin e rëndë.
Sipas familjarëve, jeta e tyre ka ndryshuar rrënjësisht pas tragjedisë.
“Ne nuk jetojmë më, ne mbijetojmë. Ecim përpara për djalin tonë dhe për të kërkuar drejtësi për Ilarian”, shprehen ata, duke theksuar se dhimbja mbetet e përhershme dhe se drejtësia është e vetmja gjë që presin. Verissimo
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






