

Kryeministri Edi Rama është shprehur se, ndonëse është i krishterë nga prejardhja familjare, nuk e praktikon fenë në mënyrë tradicionale dhe e konsideron besimin një raport personal me Zotin.
Në një intervistë në Top Channel, Rama bëri të ditur se është pagëzuar katolik nga gjyshja e tij, por nuk është ndër besimtarët që frekuentojnë rregullisht institucionet fetare.
“Jam i krishterë nga familja, por nuk jam në rreshtin e atyre që zënë radhën për të hyrë në kishë dhe që i nënshtrohen ritualeve fetare”, u shpreh ai.
Rama theksoi se kjo qasje e ndihmon të shohë me respekt dhe pa paragjykim edhe besimet e tjera, duke shtuar se në thelb të gjitha fetë reflektojnë të njëjtin Zot. Ai përmendi gjithashtu idenë për krijimin e një “Parku të Besimit”, si një hapësirë simbolike që synon të bashkojë njerëzit përtej ndarjeve fetare.
Duke folur për konceptin e jetës dhe zgjedhjeve njerëzore, kreu i qeverisë nënvizoi se beson në ekzistencën e një gjykimi përfundimtar, por jo në një formë të vetme dhe të përcaktuar.
“E besoj gjykimin që vjen në fund, por varet nga kush”, deklaroi Rama, duke shtuar se për të rëndësi ka edhe gjykimi i njerëzve me të cilët ke ndarë jetën dhe gjurmët që lë pas.
Ai theksoi se njeriu është i lirë të bëjë zgjedhjet e veta, duke argumentuar se, nëse Zoti ekziston, atëherë u ka dhënë njerëzve edhe lirinë për të vendosur vetë për rrugën e tyre.
Në vijim të intervistës, Rama u ndal edhe te sfidat e vendimmarrjes në politikë, duke theksuar se është gjithmonë e mundur të shmanget qëllimisht e keqja, por jo gjithmonë të evitohen gabimet që vijnë nga mirëbesimi.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerave njerëzore dhe të kujtimit që një individ lë pas, duke e konsideruar atë si elementin më të rëndësishëm në fund të jetës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






