Transmetuar më 05-04-2026, 18:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama për çmimin e lartë të karburanteve dhe pengimin e procesit të integrimit europian. Në një deklaratë publike, Berisha tha se qeveria shqiptare aplikon taksat më të larta në botë mbi naftën, duke theksuar se rreth 60% e çmimit përbëhet nga taksat dhe se shteti përfiton rreth 1.1 euro për litër.

Ai e konsideroi ndërhyrjen e qeverisë me akcizën si një “tallje”, duke argumentuar se ulja reale e çmimit do të mund të arrihej vetëm me përgjysmimin e barrës fiskale.

Berisha gjithashtu foli për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke mohuar që opozita të ketë përgjegjësi për bllokimin e raportit IBAR. Ai fajësoi qeverinë dhe shumicën parlamentare, duke lidhur këto zhvillime me çështje korrupsioni, përfshirë atë që e quan “dosja Balluku”. Kryedemokrati njoftoi se numri i vendeve që po bllokojnë raportin është rritur nga 4 në 9, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë për largimin e Shqipërisë nga integrimi europian.

Ai shtoi se kryeministri po zëvendëson orientimin europian me afrimin drejt Beogradit, ndërsa fermerët përballen me një krizë të thellë ekonomike të përkeqësuar nga politikat fiskale dhe çmimi i lartë i karburanteve.

Berisha përfundoi me një thirrje për mobilizim qytetar: “Data 17 prill është dita që çdo qytetar duhet të dëshmojë zemërimin dhe revoltën e tij ndaj kësaj qeverie”.

Mesazhi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha

Mirëdita! Së pari, të dashur qytetarë dhe qytetare, ju uroj dhe njëherë nga zemra gëzuar Pashkën, Pashkën tjetër më mirë ta festojmë. Së dyti, jam sot para jush sepse nuk ngurroi as ditën e Pashkës të ligjërojë monologun e tij të mashtrimit. Edi Rama sot u rrek përsëri të mashtrojë shqiptarët lidhur me çmimin stratosferik të naftës.

E vërteta dhe njëherë ta dini të dashur qytetarë, se kjo qeveri ka vendosur mbi naftën, taksën absolutisht më të lartë në botë. Kjo qeveri takson si asnjë qeveri tjetër e planetit, 60% të çmimit me të cilin shitet nafta në treg dhe merr në çdo litër naftë 1.1 euro. Lëvizja që pretendon me akcizën, është një tallje. Sipas tij, ajo hyn në fuqi kur nafta tejkalon 220 Iekë për litër, ndërkohë që përgjysmimi i barrës fiskale, i taksave mbi naftën, do të ishte rruga e vetme për të ulur çmimin e saj dhe për ta mbajtur atë në nivele të përballueshme nga qytetarët shqiptarë, nga fermerët shqiptarë, për ta mbajtur atë në nivele të kontrollueshme edhe për çmimet e tjera.

Së dyti, përsëri, ai fajësoi për bllokimin e raportit të IBAR, de facto të negociatave me Bashkimin Europian, për shkak të çështjes Balluku dhe AKSHI, ku autor kryesor është Edi Rama, që përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur veten nga dosja Balluku. Së pari u përpoq të fajësojë opozitën. Së dyti, hodhi poshtë, mashtroi, se ka një bllokim apo ka një mosvotim të raportit të IBAR. E vërteta është kjo të dashur qytetarë: Opozita nuk është shkaku i bllokimit të votimit të raportit IBAR. Shkaku i vërtetë është vota me 83 mandate krimi, mburojë e korrupsionit të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe rrethit të tij familjar dhe zyrtar.

Dhe unë ju garantoj, se ky bllokim do bëhet gjithnjë e më i fortë. Mos harrojmë se para 3 javësh ishin 4 vende, ato të cilat bllokuan votimin e raportit IBAR. Me datën 1 prill, nuk ishin më 4 vende, por ishin 9 vende, një pjesë e mirë e të cilave janë pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Pra, edhe njëherë, me Edi Ramën, integrim nuk ka. Edi Rama është një armik i egër, i cili, po zëvendëson integrimin e vërtetë në Bashkimin Europian, me integrimin e tij me Beogradin. Po zëvendëson pasaportën evropiane, me pasaportën e Serbisë.

Së fundmi, foli dhe për fermerët, të cilët janë në një rënie të lirë dhe falimentim të papërmbajtshëm, të pandalshëm. E gjithë skema, i gjithë qëndrimi i kësaj qeverie ndaj fermerëve, si në sistemin fiskal, ashtu edhe në subvencionet, dhe tani së fundi në çmimin stratosferik të naftës, është një praktikë kryekëput falimentimi. Data 17 prill, është dita që çdo qytetar duhet të dëshmojë zemërimin e tij, revoltën e tij, ndaj kësaj qeverie, e cila po bën gjithçka për të mbijetuar, që të vjedhë, të plaçkisë, edhe më shumë shqiptarët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit