

ITALI – Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane gjatë një kontrolli rrugor në zonën e San Trovaso, pasi u kap me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Sipas mediave italiane, në automjetin e tij u gjetën rreth 7 kilogramë kokainë e pastër, e ndarë në 14 pako prej gjysmë kilogrami secila, të fshehura në një çantë shpine brenda mjetit.
44-vjeçari, i cili qëndronte në mënyrë të paligjshme në Itali, akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin e tyre. Sipas hetuesve, droga e sekuestruar do të arrinte vlerën e qindra mijëra eurove në treg.
Gjatë ndalimit, sjellja e tij e dyshimtë dhe nervozizmi i theksuar, i shoqëruar me përgjigje kontradiktore, shtyu policinë të kryente një kontroll më të imtësishëm të automjetit, ku edhe u zbulua droga.
Sipas hetimeve paraprake, sasia e sekuestruar dyshohet se do të furnizonte tregun e Trevizo. Përveç drogës, policia ka sekuestruar edhe telefonin celular të të arrestuarit, ndërsa analizimi i kontakteve dhe komunikimeve pritet të ndihmojë në identifikimin e rrjetit të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






