Transmetuar më 05-04-2026, 14:39

HAPËSIRË – NASA ka bërë të ditur se ekuipazhi i misionit Artemis II është tashmë më afër Hëna sesa Toka, duke shënuar një moment historik në udhëtimin drejt satelitit natyror të planetit tonë.

“Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen tani janë më afër Hënës sesa Tokës”, deklaroi drejtuesi i ekipit të menaxhimit të misionit, John Honeycutt.

Gjatë fluturimit, ekuipazhi pritet të jetë dëshmitar i një eklipsi të rrallë diellor që do të zgjasë rreth 53 minuta, një fenomen që do të shihet nga një perspektivë unike në hapësirën e thellë.

“Dielli do të kalojë pas Hënës nga këndvështrimi i tyre, duke krijuar një eklips diellor shumë të veçantë për këtë mision”, tha drejtuesja e operacioneve shkencore, Dr. Kelsey Young.

Zyrtarët theksojnë se ky mision është një hap kyç drejt krijimit të një pranie të qëndrueshme njerëzore përtej Tokës. Sipas tyre, synimi afatgjatë është që njerëzimi të jetojë dhe të punojë rregullisht në Hënë në dekadat e ardhshme.

Nga hapësira, astronautët kanë ndarë edhe emocionet e tyre, duke përshkruar pamje spektakolare të Tokës. “Mund ta shihni të gjithë globin nga poli në pol… ishte momenti më spektakolar i jetës sonë”, u shpreh komandanti Reid Wiseman gjatë një transmetimi live.

Kapsula me katër astronautët pritet të afrohet pranë Hënës më 6 prill. Edhe pse misioni nuk përfshin ulje në sipërfaqe, ai do të shërbejë si një hap i rëndësishëm për misionet e ardhshme, duke përfshirë eksplorimin e rajonit të Polit Jugor të Hënës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit