Transmetuar më 05-04-2026, 14:33

MESDHE – Një tjetër tragjedi e rëndë me emigrantë është regjistruar në Detin Mesdhe, ku rreth 80 persona rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke pranë brigjeve të Libisë.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, në bord ndodheshin rreth 110 persona, ndërsa vetëm 32 prej tyre arritën të shpëtohen. Deri më tani, janë nxjerrë nga deti vetëm dy trupa të pajetë.

Të mbijetuarit janë transportuar në Lampedusa, ku kanë rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes. “Ishim 110 vetë në bord kur u nisëm”, deklaroi një prej tyre.

Varka prej druri, rreth 12–15 metra e gjatë, ishte nisur nga Tripoli dhe u përmbys në det të hapur, duke lënë dhjetëra persona në ujë për një kohë të gjatë përpara mbërritjes së ndihmës.

Operacioni i shpëtimit u realizua nga Roja Bregdetare Italiane, me ndihmën edhe të anijeve tregtare që ndodheshin në zonë, të cilat hodhën mjete shpëtimi dhe nxorën të mbijetuarit.

Alarmi për mjetin në rrezik u dha fillimisht nga një organizatë joqeveritare, e cila konstatoi varkën e përmbysur dhe persona të kapur pas saj, ndërsa të tjerë ndodheshin në ujë.

Në bord ndodheshin shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe Egjipti, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit