

SPANJË – Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Spanja, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipëria për të vuajtur dënimin.

Adrian Ogiçi
Bëhet fjalë për Adrian Ogiçi, 40 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte dënuar me 20 vite burg për kryerjen në bashkëpunim të veprave penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Arrestimi i tij u bë i mundur pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për shkëmbimin e informacionit mbi personat në kërkim.
Në vitin 2015, Ogiçi dyshohet se në bashkëpunim ka rrëmbyer Ridvan Lamajn në Sarandë dhe më pas është larguar jashtë vendit. Denoncimi për zhdukjen u bë në atë kohë nga bashkëshortja dhe vëllai i Lamajt.
Në vitin 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi në total me 39 vite burgim Adrian Ogiçin dhe Viktor Islamin për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Lamajt, fati i të cilit mbetet ende i panjohur që prej vitit 2015. Islami u dënua me 19 vite burg, ndërsa Ogiçi me 20 vite.

Ridvan Lamaj
Sipas hetimeve, rrëmbimi dyshohet të ketë lidhje me prishje marrëveshjesh në trafikun e lëndëve narkotike, duke qenë se të dy të dënuarit rezultonin të skeduar në këtë fushë. Prokuroria raportonte se Lamaj dyshohej të ishte përdorur si korrier dhe, pas zhdukjes së një sasie hashashi, rrëmbyesit kanë dyshuar se ai ishte i përfshirë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Aktualisht, autoritetet po ndjekin procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






