

TIRANË – Besimtarët e krishterë katolikë festojnë sot Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar, që simbolizon ringjalljen dhe shpresën.
Me këtë rast, Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh urimi përmes rrjeteve sociale, të shoqëruar me një video të realizuar me inteligjencë artificiale.
“Gëzuar Ditën e Re”, shkruan Rama në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve.
Pashkët kremtohen pas një periudhe 40-ditore të njohur si Kreshmë, gjatë së cilës besimtarët praktikojnë agjërimin dhe përmbajtjen, duke shmangur konsumimin e produkteve shtazore.
Një ndër simbolet më përfaqësuese të kësaj feste është veza e kuqe, e cila simbolizon jetën dhe ringjalljen. Ngjyra e saj lidhet me sakrificën e Krishtit dhe përçon mesazhe fitoreje, gëzimi dhe jete.
Tradita e vezëve, me rrënjë në zakone të hershme pagane, vazhdon të ruhet edhe sot si simbol i rilindjes së natyrës në pranverë. Në këtë ditë, besimtarët shkëmbejnë dhe përplasin vezët e lyera, një ritual i njohur që shoqëron festimet familjare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






