Transmetuar më 04-04-2026, 19:39

Një aksident i rëndë në vendin e punës në Shkodër ka zbuluar aktivitet të dyshuar të paligjshëm në një subjekt industrial, ku mbeti i plagosur rëndë një shtetas i huaj me origjinë afrikane.

Fillimisht, i dëmtuari, i cili aktivizohet edhe si futbollist me KF Shiroka, deklaroi para autoriteteve se ishte lënduar aksidentalisht në një hotel. Megjithatë, pas publikimit të një fotografie amatore, ku ai shfaqej i gjakosur duke dalë nga ambientet e një fabrike, ai ndryshoi dëshminë, duke pranuar se plagët i kishte marrë gjatë punës.

Sipas burimeve, i riu ka pësuar prerje të thella në gjymtyrë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente në Spitali Rajonal i Shkodrës.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se ai punonte prej kohësh në një fabrikë kompostimi që operonte në mënyrë të paligjshme, pranë shkollës “Arben Broci”.

Policia ka nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke u fokusuar te kushtet e sigurisë në punë dhe aktiviteti i dyshuar informal i subjektit. Ndërkohë, autoritetet po punojnë edhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të pronarëve të fabrikës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit