

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me dy shtetas të huaj, të cilët u gjetën pa jetë në një zonë malore në Korçë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:00 të datës 4 prill, në malin e Kamenicë, në vendin e njohur si “Qyngji”, ku autoritetet kanë konstatuar trupat e pajetë të dy personave, që dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm me origjinë nga vendet e Afrikës.
Sipas të dhënave paraprake, viktimat janë të moshës rreth 20–22 vjeç. Nga këqyrja fillestare e trupave nuk janë evidentuar shenja dhune, çka lë të kuptohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e kushteve të vështira natyrore apo faktorëve të tjerë ende të paqartë.
Autoritetet bëjnë të ditur se pritet kryerja e ekspertizës mjekoligjore, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të humbjes së jetës.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






