

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga mesnata ushtron funksionin e presidentes në detyrë.
Albulena Haxhiu merr këtë përgjegjësi përkohësisht, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë në kohë presidentin e ri, ndërsa Vjosa Osmani nuk siguroi mbështetjen e nevojshme për një mandat të dytë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se posti i presidentit mbetet vakant ose nuk arrihet zgjedhja në afat, kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e kreut të shtetit për një periudhë që nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Osmani i uroi suksese pasardhëses së saj, duke shprehur bindjen për rolin dhe përkushtimin e grave në udhëheqjen e institucioneve.
“Ju dëshiroj mirëseardhje zonja kryetare e Kuvendit dhe nga sonte në mesnatë edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës. Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia që kur të largohem nga kjo zyrë, ta lë një grua pas meje”, u shpreh ajo.
Osmani theksoi se drejtimi i shtetit përfshin përgjegjësi të mëdha, duke përfshirë udhëheqjen e politikës së jashtme, rolin e komandantes supreme të Forcave të Armatosura dhe përfaqësimin e unitetit të qytetarëve.
Ajo shtoi se kjo detyrë kërkon përkushtim maksimal dhe shprehu shpresën që Kuvendi të zgjedhë sa më shpejt presidentin ose presidenten e re, në mënyrë që të sigurohet stabilitet institucional në një periudhë sfidash të shumta globale dhe rajonale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






