

Albulena Haxhiu është emëruar ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës më 4 prill 2026, pas përfundimit të mandatit të presidentes së deritanishme, Vjosa Osmani. Ajo do të qëndrojë në këtë funksion deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga Kuvendi, proces për të cilin deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat kushtetues deri më 28 prill.
Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi do të përballet me zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Sipas Kushtetutës, ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Pas marrjes së detyrës, Haxhiu theksoi se është e vetëdijshme për përgjegjësitë që sjell ky pozicion, duke u zotuar për respektim të plotë të rendit kushtetues dhe legjislacionit në fuqi.
Haxhiu, 38 vjeç, është pjesë e Lëvizja Vetëvendosje dhe ka një përvojë politike prej rreth 16 vitesh. Ajo është zgjedhur kryetare e Kuvendit më 11 shkurt 2026, në ditën e formimit të Qeverisë së re, pas një procesi të zgjatur politik, gjatë të cilit kandidatura e saj u propozua dhjetëra herë pa arritur të sigurojë votat e nevojshme.
Karriera e saj politike ka nisur si aktiviste, ndërsa në vitin 2011 u zgjodh për herë të parë deputete në Kuvendin e Kosovës. Që nga ajo kohë, ajo ka fituar shtatë mandate radhazi si deputete, duke mbajtur njëkohësisht edhe poste të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të ministres së Drejtësisë dhe nënkryetares së Kuvendit.
Si deputete, Haxhiu ka drejtuar për dy mandate Komisionin për Legjislacion, duke u angazhuar në çështje që lidhen me sundimin e ligjit dhe mbikëqyrjen e institucioneve kundër korrupsionit.
Në vitin 2020, ajo u emërua ministre e Drejtësisë dhe u riemërua në këtë post edhe në qeverinë e formuar në vitin 2021. Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2025, Haxhiu rezultoi ndër figurat më të votuara, duke marrë mbështetje të konsiderueshme elektorale.
Gjatë periudhës në opozitë, ajo ka qenë aktive në protestat e organizuara nga subjekti i saj politik, për çka është përballur edhe me procedura ligjore. Në vitin 2018, ajo u dënua me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për përdorim të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar, në kuadër të aksioneve kundër disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Po ashtu, gjatë mandatit si ministre, ajo është përfshirë në episode tensionesh politike në Kuvend. Një nga incidentet më të përfolura ndodhi në korrik 2023, kur pati përplasje fizike me deputetin Mërgim Lushtaku, pas një situate të tensionuar gjatë një seance plenare ku u përfshi edhe kryeministri Albin Kurti.
Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur poshtë një aktakuzë ndaj saj dhe disa ish-deputetëve të tjerë lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016, duke i dhënë fund një procesi të gjatë gjyqësor.
E lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë, Haxhiu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore, në fushën e së drejtës penale. Ajo është e martuar me Alban Krasniqi dhe është nënë e tre fëmijëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






