Transmetuar më 04-04-2026, 15:41

Tiranë, 4 prill 2026 – Një moment emocional është ndarë me publikun, teksa Arbër Hajdari është surprizuar nga një letër e ndjerë e shkruar nga i ati, Shkëlqim Hajdari.

Në mesazhin e tij, ai shpreh krenarinë për kontributin dhe angazhimin e të birit ndër vite, duke theksuar se puna e tij vlerësohet gjerësisht nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, si në aktivitetet e fondacionit ashtu edhe në angazhimet televizive, përfshirë Big Brother Albania.

Letra ndalet edhe te dimensioni familjar i Hajdarit, ku i ati e vlerëson si një djalë të përkushtuar dhe mbështetës për familjen. Ai përmend gjithashtu një periudhë të vështirë shëndetësore që ka kaluar vite më parë, moment kur, sipas tij, drejtimi i përgjegjësive familjare iu besua të birit.

Në vijim, Shkëlqim Hajdari e përshkruan të birin si një prind dhe bashkëshort të përkushtuar, duke vënë në dukje marrëdhëniet e tij të ngrohta familjare dhe shoqërore.

Në fund të letrës, ai i drejtohet publikisht me një mesazh bekimi dhe mbështetjeje, duke i uruar shëndet dhe suksese të mëtejshme në jetën personale dhe profesionale.

‘Dëshmitarët e punëve që bën ti, janë të shumtë, kudo ku ka shqiptarë që punojnë e jetojnë.

Me të drejtë shumica e tyre flasin me respekt për kontributin që ti tashmë jep prej vitesh si në Fondacion ashtu edhe në Big Brother.

Ky publik sot duhet të njihet edhe me disa punë të tjera për të cilat ti je zotuar e unë jam dëshmitar… Para 5 vitesh unë kalova një çast të vështirë shëndetësor dhe ndaj vendosa që kompetencat në drejtimin e familjes t’i delegoj tek ty.

Sot pas 5 vitesh konstatoj se ti je një djalë “babë”, siç themi ne shqiptarët për djemtë dinjitozë, një bir nëne që megjithë ngarkesën që ke nënën tënde e ke prioritet në përkujdesje…

Arbër, jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur ishit fëmijë të vegjël… Jam krenar për ty si babi shembullor i Rainës, më e vogla e familjes sonë…

Je një bashkëshort mirëkuptues dhe jam krenar për marrëdhënien e ngrohtë ju keni krijuar bashkë! Me miqtë e mi në Kosovë, që ti dhe Vlera na bëtë krushq, ke një raport sikur të jesh djalë i asaj shtëpie…

Ndaj sot publikisht merre hallallin e babës, se dhe ky është po kaq i rëndësishëm sa ai i nënës. Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë.

Paç shëndet e jetë të gjatë biro!

P.S. Të fala e përqafime gocave qe të kanë ftuar aty!, shkruan Shkëlqim Hajdari.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit