

Tiranë, 4 prill 2026 – Rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht e plastikës, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e prodhimit për industrinë e përpunimit të qumështit në Shqipëria.
Sipas burimeve nga sektori, furnitorët e huaj, kryesisht nga Greqia, kanë njoftuar për një rritje të ndjeshme të çmimit të lëndës së parë për plastikë, e cila në disa raste arrin deri në dyfishim krahasuar me periudhat e mëparshme. Këto ndryshime pritet të reflektohen në furnizimet e reja gjatë periudhës 1–31 maj.
Rritja e çmimeve lidhet me shtrenjtimin e naftës dhe kostot e transportit në tregjet ndërkombëtare, duke ushtruar presion të shtuar mbi zinxhirin e prodhimit. Furnitorët kanë bërë të ditur se do të përpiqen të amortizojnë një pjesë të kostove, por paralajmërojnë për një rishikim të pashmangshëm të çmimeve.
Përfaqësues të industrisë së përpunimit të qumështit në vend theksojnë se rritja e çmimit të plastikës, e përdorur për ambalazhimin e produkteve, do të ndikojë në rritjen e kostove operative. Si pasojë, ata nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së çmimeve për produktet e bulmetit në tregun vendas.
Industria përballet tashmë me sfida të tjera, përfshirë koston e lartë të qumështit si lëndë e parë, e cila sipas përpunuesve është më e lartë se në vendet e Bashkimi Europian.
Në këtë kontekst, përfaqësues të sektorit kanë kërkuar më herët ndërhyrje nga qeveria për uljen e TVSH-së në 10% për zinxhirin e qumështit, si një masë që do të ndihmonte në lehtësimin e kostove dhe frenimin e rritjes së çmimeve për konsumatorët. Deri më tani, kjo kërkesë nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga institucionet përkatëse.
Ekspertët vlerësojnë se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe paqëndrueshmëria e çmimeve mund të vijojnë të ndikojnë sektorin edhe në muajt në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






