Transmetuar më 04-04-2026, 13:42

Biznesmeni modifikonte çelësa, grabiste kasaforta dhe banesa në Tiranë e Durrës

Një biznesmen dhe një tjetër person u arrestuan në Tiranë pas operacionit “Access”. Dyshohet se modifikonin çelësa dhe grabisnin kasaforta e banesa në Tiranë dhe Durrës

Tiranë – Një biznesmen që dyshohet se modifikonte çelësa për hapjen e bravave të apartamenteve është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Access”, i finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4. Bashkë me të në pranga ka rënë edhe një tjetër person, të dyshuar për vjedhje kasafortash, parash dhe sendesh me vlerë në Tiranë dhe Durrës.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga u vunë shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata u kapën në flagrancë më 3 prill 2026, menjëherë pasi kishin marrë një kasafortë në një banesë në rrugën “Zihni Sako”.

Brenda kasafortës, sipas Policisë, ndodheshin sende me vlerë dhe një armë zjarri me municion, e cila posedoheshe me leje nga pronari i banesës. Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit R. O., në banesën e të cilit ishte marrë kasaforta.

Dyshimet e hetuesve janë se njëri nga të arrestuarit kishte përshtatur një ambient si biznes, ku modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve. Pikërisht gjatë kontrollit në këtë ambient u konstatuan elementë që forcojnë dyshimet për këtë veprimtari.

Policia bën me dije se dy të arrestuarit dyshohet të jenë përfshirë edhe në raste të tjera të marrjes së shumave të parave dhe sendeve me vlerë, konkretisht në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë.

Gjatë operacionit u sekuestruan kasaforta, sende me vlerë, dy automjete dhe një motomjet, me vlerë totale rreth 30 mijë euro.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur nëse të arrestuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit