Transmetuar më 04-04-2026, 12:30

Tiranë – Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar publikisht pak kohë pas largimit nga posti i ministres së Jashtme, duke ngritur shqetësime të forta për gjendjen aktuale të Parlamentit dhe funksionimin e Republikës Parlamentare në vend.

Në një qëndrim të gjatë, Spiropali thekson se situata në Kuvend nuk është thjesht tension politik, por një problem më i thellë që lidhet me vetë funksionimin e institucionit. Sipas saj, Parlamenti nuk po arrin më të përmbushë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues, duke u kthyer në një arenë përplasjesh pa rezultat konkret.

Ajo nënvizon se konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e politikës, por sot problemi qëndron te fakti se debatet nuk prodhojnë më zgjidhje apo drejtim, duke zëvendësuar funksionin real të institucionit.

Spiropali paralajmëron se kjo situatë sjell rënie të besimit tek institucionet dhe rrezikon vetë konceptin e Republikës Parlamentare, e cila, sipas saj, nuk mund të ekzistojë vetëm si formë procedurale, por duhet të funksionojë përmes debatit, përgjegjësisë dhe kontrollit institucional.

Në përfundim, ajo thekson se kërkesat e Bashkimit Europian për institucione funksionale përputhen me nevojën që vetë vendi ka për një Parlament që jo vetëm ekziston, por funksionon realisht.

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare

Nga Elisa Spiropali

Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.

Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.

Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.

Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.

Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.

Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit