

Një zhvillim i ri në fushën e bioteknologjisë mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohen sëmundjet kronike. Shkencëtarët kanë krijuar një pajisje të vogël të implantueshme, e aftë të prodhojë ilaçe direkt brenda trupit të njeriut për periudha që zgjasin deri në disa javë.
Pajisja, e quajtur “Hobit”, është zhvilluar nga një grup studiuesish nga disa universitete amerikane dhe rezultatet e kërkimit janë publikuar në revistën shkencore Device. Ajo përmban qeliza të inxhinierizuara gjenetikisht, të cilat mund të programohen për të prodhuar substanca terapeutike sipas nevojës.
Implanti përfshin gjithashtu një mini-gjenerator për prodhimin e oksigjenit, një bateri dhe komponentë mikroskopikë elektronikë që mundësojnë rregullimin e proceseve të brendshme dhe komunikimin me pajisje të jashtme përmes teknologjisë wireless.
Në fazën aktuale, pajisja është testuar tek kafshë laboratorike, konkretisht kavie, ku është implantuar nën lëkurë. Studiuesit kanë arritur të kontrollojnë prodhimin e tre llojeve të ndryshme molekulash nga qelizat e modifikuara.
Testimet kanë zgjatur për rreth 30 ditë, gjatë të cilave nivelet e medikamenteve në gjak kanë mbetur të qëndrueshme dhe të larta. Po ashtu, rreth 65% e qelizave të implantit kanë ruajtur vitalitetin gjatë gjithë periudhës së eksperimentit.
Ekspertët vlerësojnë se kjo teknologji mund të sjellë një revolucion në trajtimin e patologjive kronike, duke reduktuar ose eliminuar nevojën për marrjen e vazhdueshme të ilaçeve në mënyrat tradicionale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






