Transmetuar më 04-04-2026, 11:00

Zbulohen 4 mijë kilogramë produkte të miksuara (miksime bimësh të thata) të ambalazhuara në thasë plastikë, por të paetiketuara, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo emërtimin e përbërjes. Po ashtu mungonte implementimi i sistemit te vetkontrollit (skedat e monitorimit gjatë procesit të miksimit) veprime në kundërshtim me parashikimet ligjore

TIRANË – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 4 ton produkte bimore në magazinën e subjektit “Merja”, në zonën e Shkozës, duke vendosur edhe masa administrative ndaj mjekut popullor Ylli Merja.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli u ushtrua pas një denoncimi, ku gjatë inspektimit në ambientet e magazinës u konstatuan 3984 kg bimë të thata të miksuara. Produktet ishin të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa, pa afat përdorimi dhe pa informacion mbi origjinën apo përbërjen.

Në bazë të këtyre shkeljeve, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të sasisë së konstatuar, ndërsa ndaj subjektit u aplikua një gjobë prej 200 mijë lekësh për mosrespektim të kërkesave të gjurmueshmërisë.

Po ashtu, nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi mungesa e sistemit të vetkontrollit, konkretisht skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit. Për këtë shkelje u vendos një tjetër gjobë në vlerën 100 mijë lekë.

Në total, masa administrative ndaj subjektit arrin në 300 mijë lekë, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore në treg.

Njoftimi i AKU-së:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të transparencës njofton se, referuar një denoncimi të ardhur, ka kryer kontroll në subjektin “Merja”, me adresë në lagjen Shkozë, Tiranë, ku nga inspektimi i kryer në ambientet e magazinës së subjektit, u konstatuan një sasi prej 3984 kg produkte të miksuara (miksime bimësh të thata) të ambalazhuara në thasë plastikë, por të paetiketuara, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo emërtimin e përbërjes.

?Mbi këto gjetje trupa inspektuese mori masën e menjëhershme të bllokimit të kësaj sasie në ambientet e magazinës si dhe për veprime, në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë, ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë.

Gjithashtu nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se mungonte implementimi i sistemit te vetkontrollit (skedat e monitorimit gjatë procesit të miksimit) veprime në kundërshtim me parashikimet ligjore, për këtë mangësi u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 100,000 (njëqind mijë) lekë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit