Transmetuar më 04-04-2026, 10:57

TIRANË – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 4 tonë produkte bimore në magazinën e subjektit “Merja”, në zonën e Shkozës, si dhe ka vendosur masa administrative ndaj mjekut popullor Ylli Merja.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli u krye pas një denoncimi, ndërsa gjatë inspektimit u konstatuan 3984 kg bimë të thata të miksuara, të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa, pa afat përdorimi dhe pa informacion mbi origjinën apo përbërjen.

Në bazë të shkeljeve të konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën e menjëhershme të bllokimit të produktit në ambientet e magazinës. Po ashtu, ndaj subjektit u vendos një gjobë prej 200 mijë lekësh për mosrespektim të kërkesave të gjurmueshmërisë.

Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi gjithashtu mungesa e sistemit të vetkontrollit, konkretisht skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit, çka përbën shkelje të parashikimeve ligjore. Për këtë arsye, u vendos një tjetër gjobë në vlerën 100 mijë lekë.

AKU bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë për garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e standardeve ligjore nga operatorët në treg.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit