

Një histori që nisi si një krushqi tradicionale ka përfunduar si një skemë e mirëorganizuar mashtrimi, denoncuar nga Zenel Gashi, një emigrant nga Peja që jeton në Gjermani. Ai pretendon se është mashtruar me 5,850 euro dhe një sasi të konsiderueshme floriri, nën pretekstin e fejesës së djalit të tij me një vajzë nga Tirana.
Sipas dëshmisë së tij, njohja me vajzën u bë përmes një miku të përbashkët. Komunikimi mes të rinjve u zhvillua përmes kamerës dhe, pas një pëlqimi të ndërsjellë, babai i vajzës e ftoi Zenelin në Shqipëri për të vijuar me traditën e krushqisë.
“Më tha: hajde nga Gjermania në Shqipëri. Të nesërmen u nisa,” rrëfen ai.
Vizita në familjen e vajzës përfshinte një ceremoni tradicionale me urime dhe dhurata, por pas atmosferës festive u zbulua një fakt shqetësues: vajza, për të cilën pretendimi ishte se kishte 18 vjeç, në të vërtetë nuk kishte mbushur ende 15 vjeç. Zeneli thotë se nuk kishte dijeni për moshën e saj dhe se nuk kishte vënë re shenja presioni gjatë ceremonisë.
Pas një nate në shtëpinë e familjes së vajzës, ai la 1,000 euro për përgatitjet e dasmës. Më pas, kërkesat për para vazhduan: 2,000 euro për organizimin e festës dhe më pas edhe 2,000 euro të tjera përmes Western Union, në emër të një personi të identifikuar si Fadil Berisha. Paratë supozohej se do të përdoren për udhëtimin e vajzës dhe familjes drejt Gjermanisë, ku do të bashkohej me djalin e tij.
Madje, Zeneli tregon se kishte marrë një video nga aeroporti i Tiranës si provë e nisjes së vajzës. Por kur mbërriti në Hamburg për ta pritur, askush nuk u shfaq. Sipas tij, një pretendim për kthimin e familjes nga autoritetet kufitare rezultoi i pavërtetë dhe kontaktet u ndërprenë menjëherë.
Sipas verifikimeve paraprake, dyshohet se organizatori i kësaj skeme është babai i vajzës, një 40-vjeçar nga Tirana, i cili punon si roje në një shkollë të kryeqytetit. Gjatë përballjes me mediat, ai fillimisht mohoi njohjen me Zenelin, por më pas ndryshoi qëndrim.
Rasti ngre shqetësime serioze jo vetëm për mashtrimin financiar, por edhe për përfshirjen e një të miture në një marrëveshje të tillë. Praktika të tilla, shpesh të justifikuara me “traditë”, bien ndesh me ligjin dhe të drejtat e fëmijëve.
Materiali i plotë do t’u dorëzohet autoriteteve për hetime të mëtejshme, ndërsa Zeneli kërkon drejtësi dhe rikthimin e parave të humbura, duke shpresuar që historia e tij të shërbejë si paralajmërim për të tjerë. Burimi: Piranjat
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






