

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të ndërmarrë nisma konkrete për uljen e barrës fiskale mbi naftën, duke paralajmëruar gjithashtu kërkesë për hetim ndaj Autoritetit të Konkurrencës.
Gjatë një takimi të organizuar nga Departamenti i Burimeve Natyrore në Partinë Demokratike, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në tregun e naftës përmes krijimit të kompanive shtetërore, me qëllim përfitimi politik dhe ekonomik.
Sipas tij, Partia Demokratike e konsideron emergjente përgjysmimin e ngarkesës fiskale mbi karburantet, duke argumentuar se niveli aktual i taksave po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve dhe në përkeqësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Berisha theksoi se çmimi i naftës po shndërrohet në një barrë të rëndë për pensionistët dhe për të gjithë konsumatorët, për shkak të efektit zinxhir në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.
Ai e cilësoi situatën ekonomike si të vështirë, duke nënvizuar se sektorë kyç si bujqësia dhe industria ndodhen në recesion. Sipas tij, zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë, duke shtuar presionin mbi ekonominë vendase.
Në këtë kuadër, Berisha bëri të ditur se opozita do të paraqesë në Kuvend amendamente dhe nisma ligjore për uljen e taksave mbi naftën, si dhe do të kërkojë një hetim për Autoritetin e Konkurrencës, të cilin e akuzoi për mungesë të pavarësisë dhe përfshirje në problematikat e tregut të karburanteve.
Sipas tij, ndërhyrja në këtë sektor është e domosdoshme për të garantuar çmime më të përballueshme dhe për të lehtësuar barrën ekonomike mbi qytetarët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






