

Tensione të forta janë regjistruar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku është ndërprerë fjalimi i kryeministrit Albin Kurti pas ndërhyrjeve të deputeteve të opozitës.
Gjatë kohës që Kurti po mbante fjalën nga foltorja, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, është afruar pranë tij dhe i ka hequr mikrofonin, duke ndërprerë fjalimin. Ajo i ka kërkuar kryeministrit të qëndrojë në temë dhe ka kritikuar qeverisjen e tij.
“A ka mundësi të kthehesh në temë, kryeministër, sepse ke pasur katër vjet në qeverisje dhe nuk ke realizuar asnjë projekt. Kthehu në temë dhe mos na shis përralla”, është shprehur Musliu gjatë ndërhyrjes së saj.
Pas këtij momenti, kryeministri Kurti ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe respektimin e rendit institucional, duke theksuar përgjegjësinë që mbajnë përfaqësuesit e zgjedhur.
Ndërkohë, tensionet janë thelluar më tej kur deputetja tjetër e PDK-së, Arbnore Salihu, ka hequr flamurin kombëtar nga foltorja gjatë fjalimit të kryeministrit.
Ngjarja ka shkaktuar përplasje verbale në sallë dhe ka reflektuar klimën e tensionuar politike mes mazhorancës dhe opozitës në Kosovë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






