Transmetuar më 03-04-2026, 18:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i është përgjigjur kërkesës së deputetit socialist Erion Braçe, duke i vënë në dispozicion të dhënat zyrtare mbi rezultatet e tij elektorale ndër vite.

Në dokumentin zyrtar, institucioni bën të ditur se i ka përcjellë Braçes rezultatet personale për zgjedhjet parlamentare nga viti 2001 deri në vitin 2021, duke ofruar një pasqyrë të plotë të performancës së tij elektorale.

Sa i përket zgjedhjeve të viteve 1996 dhe 1997, KQZ sqaron se ka kërkuar informacion pranë Arkivit Qendror Shtetëror, i cili ka konfirmuar se këto të dhëna nuk gjenden në fondin e tij arkivor. Sipas përgjigjes zyrtare, dokumentacioni përkatës administrohet nga arkivi i Kuvendit të Shqipërisë.

Dokumenti i nënshkruar nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, paraqet një nivel të lartë mbështetjeje elektorale për Braçen ndër vite, duke e renditur atë mes politikanëve më të votuar në vend.

Kërkesa e deputetit vjen në një moment kur ai ka shprehur publikisht ambicien për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka sinjalizuar si kandidate të mundshme ministren Ogerta Manastirliu.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 majit 2025, Erion Braçe siguroi mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës nga lista e hapur e Partisë Socialiste, duke rezultuar kandidati më i votuar në këtë qark.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit