

Një skandal i rëndë lidhur me keqpërdorimin e fondeve bujqësore ka tronditur skenën politike në Greqi, duke çuar në dorëheqjen e tre anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Dorëheqjen e kanë paraqitur ministri i Mbrojtjes Civile, Yiannis Kefalogiannis, ministri i Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras, si dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos. Zhvillimi vjen në një kohë kur hetimet po thellohen dhe materiale të reja po i paraqiten Parlamentit grek.
Sipas burimeve qeveritare, pritet një riorganizim i menjëhershëm i kabinetit gjatë ditës së sotme, ndërsa betimi i anëtarëve të rinj të qeverisë është planifikuar për ditën e nesërme. Në këtë kuadër, pritet edhe largimi i Kostas Skrekas nga posti i sekretarit të partisë Demokracia e Re.
Hetimi lidhet me ngjarje që datojnë që nga viti 2021 dhe përfshin akuza të rënda, si nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve.
Dosja është përgatitur nga Prokuroria Evropiane, e cila ka identifikuar një rrjet të organizuar që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga fondet bujqësore.
Ky zhvillim ka goditur edhe reputacionin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, duke rritur ndjeshëm presionin politik ndaj qeverisë së tij.
Megjithatë, hetimi është përballur me pengesa ligjore në nivel kombëtar. Sipas nenit 86 të Kushtetutës greke, ministrat dhe ish-ministrat gëzojnë mbrojtje të veçantë penale për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, çka në praktikë ka ndikuar shpesh në shmangien e përgjegjësisë penale nga zyrtarë të lartë.
Në këto kushte, Prokuroria Evropiane është detyruar të ndajë hetimin për anëtarët e kabinetit dhe t’ia përcjellë materialet drejtpërdrejt Parlamentit, duke hapur një fazë të re në trajtimin e kësaj çështjeje të ndjeshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






