

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen Pavarësia, pranë rrugës “Çipaj” në Vlorë, ku 63-vjeçari Ismail Aliaj ka ndërruar jetë pas një konflikti mes disa personave.
Sipas burimeve mjekësore, viktima ka marrë goditje në fytyrë dhe grykë, të cilat rezultuan fatale. Djali i tij Bajron Aliaj, mbeti i lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Vlorës ka nisur ndjekjen e autorëve dhe vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Policia e Vlorës del me komunikatë:
Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi I. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






