

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj pohoi sot në sallën e gjyqit se Tirana është futur në kolaps që nga plehrat tek arsimi sepse askush nuk firmos, duke nënkuptuar kështu se ata që drejtojnë bashkinë janë në statusin e kukullave de facto.
Në seancën e zhvilluar në mjediset e Gjykatës Administrative, Erion Veliaj foli për gjendjen në të cilën ndodhet bashkia këto 14 muaj.
Ndërsa është arrestuar dhe ndodhet në burg, në pritje të gjykimit për afera korruptive dhe vepra të tjera penale, Veliaj arriti të sfidojë Edi Ramën duke hedhur poshtë shkarkimin e tij si kryebashkiak dhe të anulojë zgjedhjet që shpalli kryeministri.
Sot, Veliaj mendon se po përballet me një intrigë të organizuar kundër tij dhe beson se e gjitha është në dëm jë vetëm për të dhe familjen, por dhe për mbarë qytetarët e Tiranës.
"Ditën kur jam arrestuar kam hapur një shkollë në Kashar, prej asaj dite nuk është hapur asnjë shkollë.
Sot nuk firmos më tek Bashkia e Tiranës. Në Tiranë sot plehrat janë sheshit. Nuk firmos më njeri.
Dreka në shkolla impakton 170 mijë fëmijë në Tiranë por kanë ngelur pa drekë, sepse nuk firmos më njeri.
Nga pastrimi tek çerdhet dhe kopshtet dhe te shkollat, askush nuk firmos", tha Veliaj.
Fakt është se shumë sektorë të bashkisë janë në kolaps. Në shumë shkolla nisi më 1 mars të aplikohet qëndrimi pas mësimit deri rreth orës 16, por nxënësit detyrohen të marrin bukë me vete, më së shumti sanduiçë, edhe pse ishte shpallur se do hanin ushqim të ngrohtë të gatuar enkas për ta në shkolla.
Sakaq në kolaps janë ndërtimet. Shumë pallate janë përfunduar por askush nuk futet dot në shtëpitë që kanë blerë sepse siç tha dhe Veliak, askush nuk firmos, as për të lidhur ujin e dritat dhe as për të kolauduar formalisht objektet. Kjo po u sjell dëme të mëdha dhe të papërballueshme mijëra familjeve./noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






