

Mbrojtja e Veliaj vijon të vërë në pikëpyetje procesin gjyqësor ndaj tij, duke insistuar në sqarimin e statusit ligjor të prokurorit që ndjek çështjen
Tiranë – Në seancën e sotme gjyqësore, avokati i Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ngriti dyshime mbi përmbushjen e kritereve ligjore nga prokurori i SPAK, Ols Dado, për ushtrimin e funksionit të tij.
Veliaj ka paditur paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i kohës, Bamir Topi.
Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.
Sipas Ndrecës, një nga kushtet bazë për emërimin si prokuror është përfundimi i Shkollës së Magjistraturës, kriter që, sipas tij, nuk është plotësuar nga Dado. Ai shtoi se ligji kërkon gjithashtu përvojë të caktuar profesionale, si tre vite si pedagog, eksperiencë si këshilltar ligjor në institucione si Kuvendi, Avokati i Popullit apo Ministria e Drejtësisë, si dhe funksione të tjera juridike, përfshirë rolin e oficerit të policisë gjyqësore.
Ndreca pretendoi se as këto kritere nuk janë përmbushur nga prokurori, duke ngritur publikisht pyetjen: “A është Ols Dado prokuror apo jo?”
Ai gjithashtu kritikoi qëndrimin e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili sipas tij, pas një ankimi të paraqitur nga mbrojtja, ka deklaruar mungesë kompetence për të shqyrtuar kërkesën. Ndreca e cilësoi këtë akt si të pavlefshëm dhe kërkoi që kjo të konstatohet nga gjykata.
Nga ana tjetër, gjyqtari Hazbi Balliu kërkoi sqarime nëse vendimi i KLP-së ishte kundërshtuar më herët. Ndreca u përgjigj se fillimisht i janë drejtuar këtij institucioni, duke e konsideruar kompetent për të trajtuar çështje që lidhen me mandatin e prokurorit, por theksoi se mosveprimi i tij nuk e pengon mbrojtjen t’i drejtohet gjykatës.
Gjykata Administrative vendosi që të shtyjë seancën mbi kërkesë-padinë e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado për në datën 8 maj 2026, ora 14:00.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






