

Tiranë, 3 prill 2026 — Grupi Parlamentar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga Kuvendi të Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për përdorim të gjuhës fyese dhe kërcënimeve ndaj deputetëve.
Kërkesa është dorëzuar në Sekretariatin për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku deputetët demokratë argumentojnë se Balla ka fyer dhe kërcënuar deputetet gra, duke cënuar dinjitetin dhe sigurinë e tyre fizike.
Incidenti kryesor është regjistruar gjatë seancës së djeshme, ku PD pretendon se Balla përdori gjuhë fyese ndaj deputetes Elda Hoti. Në dokument thuhet se situata ka nxitur reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila i kërkoi drejtuesit të seancës, Niko Peleshi, të ndërmarrë masa disiplinore.
“Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme ndaj Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetes Elda Hoti, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike,” thuhet në shkresë.
Në të njëjtën seancë, Balla akuzohet gjithashtu për përdorim të gjuhës jo parlamentare ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke i drejtuar fjalët “ik pirdhu” gjatë përfundimit të fjalës së tij.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pritet të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë mbi masën disiplinore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






