

Prishtinë, 3 prill 2026 — Qeveria e Kosovës ka miratuar rikthimin për shqyrtim të projektligjit për masat e përkohshme mbi produktet bazë, i njohur si ligji për “çmimet tavan”, me synim parandalimin e abuzimeve në treg gjatë situatave të krizës.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se nisma nuk synon ndërhyrjen në funksionimin e tregut të lirë, por mbrojtjen e tij nga deformimet dhe rritjet artificiale të çmimeve.
“Ky projektligj është një përgjigje ndaj realitetit që qytetarët përjetuan, me rritje të papritura çmimesh dhe mungesë mekanizmash mbrojtës. Nuk po kufizojmë tregun e lirë, por po e mbrojmë atë nga abuzimet”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, ligji synon të vendosë një ekuilibër mes lirisë së tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të ndërhyrë në raste të jashtëzakonshme, duke ofruar instrumente të përkohshme për stabilizimin e çmimeve.
Qeveria thekson se masat do të garantojnë furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme për produktet bazë, si dhe do të parandalojnë spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të konsumatorëve.
Projektligji ishte miratuar më herët nga Kuvendi, por u dërgua nga opozita në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila e shpalli atë në kundërshtim me Kushtetutën. Në variantin e ri, ekzekutivi ka reflektuar ndryshimet e kërkuara për ta bërë atë të zbatueshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






