

Spiro Dhimaleksi, 35 vjeç, i cili një ditë më parë mbajti peng dhe kërcënoi jetën e prindërve të tij në Himarë, është shtruar sot në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali”, ku po mbahet nën vëzhgim pas trajtimit mjekësor që mori në Spitalin e Vlorës për plagë të shkaktuara me mjet prerës.
Sipas mjekëve psikiatër, ai nuk rezulton të ketë një kartelë me diagnozë për probleme të shëndetit mendor, por është përdorues i lëndëve narkotike në një fazë të rënduar. Mjekët bëjnë të ditur se gjatë komunikimit ai ka qenë më i kthjellët, megjithatë do të jetë e nevojshme trajtimi nga specialistë të toksikologjisë.
Në dëshminë e dhënë për policinë, 35-vjeçari ka deklaruar se veprimin e ndërmori pasi dyshonte se prindërit e tij synonin t’i merrnin pronat.
Ngjarja ndodhi në Himarë, ku Dhimaleksi, në një gjendje të rënduar psikologjike, kishte izoluar prindërit e tij, të moshës 60 dhe 65 vjeç, duke i kërcënuar me thikë. Pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë ndërhynë menjëherë dhe nisën negociatat me të. Pas më shumë se një ore, një efektiv arriti të vendoste komunikim të drejtpërdrejtë, duke ulur tensionin e situatës.
Gjatë ndërhyrjes, 35-vjeçari tentoi të dëmtonte veten, duke i shkaktuar plagë në zonën e barkut, por policia reagoi në kohë, e neutralizoi dhe i hoqi mjetin prerës, duke bërë të mundur shpëtimin e prindërve pa lëndime.
Pas shoqërimit në Komisariatin e Himarës dhe trajtimit në Spitalin e Vlorës, ai është referuar për trajtim të specializuar psikiatrik. Ndërkohë, prindërit janë marrë në pyetje për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Negociatat
Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një efektiv i policisë, banor i zonës, ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me autorin, duke ndikuar në uljen e tensionit. Në momentin e ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke shkaktuar plagë në zonën e barkut.
Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e neutralizuar dhe duke i hequr mjetin prerës, çka bëri të mundur shpëtimin e dy prindërve pa lëndime. Më pas, 35-vjeçari është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Himarë dhe më tej në Vlorë, ku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal, si dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






