

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se një nga rreziqet më të mëdha për sigurinë e një vendi është krijimi i perceptimit të gabuar se ai vend është i pasigurt.
Gjatë një konference për shtyp, Lamallari theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin të perceptohet si një vend i pasigurt, duke shtuar se një pjesë e madhe e këtij perceptimi lidhet me fenomene si lufta hibride dhe agjenda të caktuara politike që synojnë destabilizimin.
Ai u shpreh se Policia e Shtetit ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe ato që vijnë në forma hibride, si dhe përballjen me dezinformimin në rrjetet sociale apo metoda të tjera që mund të përdoren për të krijuar destabilitet ose për të ndërtuar një perceptim të gabuar për sigurinë në vend.
Sipas tij, krijimi i një imazhi të pasigurt për Shqipërinë përbën një nga dëmet më të mëdha që mund t’i bëhet vendit, pasi ndikon drejtpërdrejt në ekonomi dhe në sektorin e turizmit. Ai nënvizoi se vendi nuk ka kohë dhe as luks për të përballuar një perceptim të tillë, pavarësisht nëse ai vjen si rezultat i luftës hibride apo i agjendave të caktuara politike.
Duke komentuar njoftimin publik të Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për mundësinë e sulmeve nga Irani, ministri bëri të ditur se ka kërkuar informacion të detajuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorinë Antiterror, Policinë Kriminale dhe strukturat e sigurisë publike, në lidhje me masat e marra dhe komunikimet me përfaqësues të ambasadës.
Lamallari theksoi se, bazuar në informacionin e marrë dhe komunikimet me zyrën e sigurisë së ambasadës, bëhet fjalë për një njoftim standard, i cili është shpërndarë edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, duke mos përbërë një rast të veçuar vetëm për Shqipërinë.
Çfarë tha ambasada amerikane:
Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.
Alarm sigurie – Ambasada e SHBA në Tiranë, Shqipëri (1 prill 2026)
Vendndodhja: Tiranë, Shqipëri
Ngjarja: Grupet e lidhura me Iranin mund të përpiqen të shënjestrojnë entitete të lidhura me SHBA-në ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ato mund të shënjestrojnë gjithashtu vende të zakonshme, si pika turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne inkurajojmë qytetarët amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar.
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Qëndroni vigjilentë
Ndiqni mediat lokale për përditësime
Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë dhe mbani telefonin të karikuar në rast emergjence
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






