Transmetuar më 03-04-2026, 11:38

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë tha sot se hetimet për vdekjen e të moshuarit sugjerojnë se ai është vrarë.

Gëzim Vija 78 vjeç, u gjet i pajetë në banesën e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh hetimore.

Trupi i pajetë i Gëzim Vijës u gjet mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës i cili shpërndan pensionet.

Nga këqyrja e trupit të pajetë rezultoi se kishte dëmtime në kokë.

Mësohet se i moshuari ishte i divorcuar dhe jetonte i vetëm në banesë prej 25 vitesh.

Viktima ka 4 fëmijë, ku dy prej tyre jetojnë në Korçë ndërsa dy të tjerë jashtë shtetit.

Hetimi sugjeron se viktima është përleshur me vrasësin që mbetet i paidentifikuar.

I ndjeri u gjet mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës i cili shpërndan pensionet.

Ai e ka thirrur 78 vjeçarin për të dalë dhe kur nuk ka marrë përgjigje ka njoftuar fqinjët e tij dhe më pas kanë hapur derën e shtëpisë, ku në një prej dhomave gjendej trupi i pajetë i të moshuarit.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78 vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çfarë i ka sjellë vdekjen.

Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se 78 vjeçari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë, thotë policia.

Policia thotë se si pjesë e procedurës se janë marrë në pyetje të afërm e persona të tjerë në lidhje me viktimën.

Flet fqinji

Ilia Gjatolli, fqinji i viktimës u shpreh: “Unë isha në Korçë, kur arrita në fshat e mora vesh, më erdhi shumë keq. Fatkeqësi e madhe.

Shumë njeri i mirë, kemi shumë vite që jemi komshinj, janë shumë njerëz të mirë edhe djemtë edhe si familje. Janë të respektuar. Nuk ka patur konflikte me asnjë njeri.

Kishim hyrje dalje, nuk na kanë dhënë asnjë shqetësim. S’kishte as probleme, asgjë.

Nuk e di për çfarë dyshohet, e mori ekspertiza, të verifikohet nëse është ngjarje aksidentale apo kriminale.”

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit