Transmetuar më 03-04-2026, 11:30

Tiranë, 3 prill 2026 — Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, një nga të pandehurat në dosjen “Veliaj”, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në seancën gjyqësore të zhvilluar në GJKKO.

Kërkesa u paraqit nga avokati i saj, Henrik Ligori, i cili deklaroi se klientja e tij nuk i ka pranuar akuzat gjatë fazës së hetimit paraprak, duke i cilësuar ato si të pambështetura në prova dhe fakte.

Sipas mbrojtjes, gjyqtari i seancës paraprake vendosi kalimin e çështjes për gjykim, ndërkohë që avokatët kishin kërkuar pushimin e saj në atë fazë procedurale.

Në vijim, avokati Ligori konfirmoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe parashtroi gjithashtu kërkesën për ndarje të çështjes. Ai argumentoi se GJKKO nuk ka kompetencë lëndore për shqyrtimin e kësaj çështjeje, duke propozuar dërgimin e saj në një gjykatë tjetër.

Mbrojtja bëri të ditur se ka paraqitur edhe dokumentacion që provon se Bushka nuk mban më funksionin e deputetes.

Procesi gjyqësor vijon, ndërsa pritet që gjykata të shprehet mbi kërkesat e paraqitura nga pala mbrojtëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit