Transmetuar më 03-04-2026, 07:28

Shumica e mësuesve të shkollave të mesme në Mbretëria e Bashkuar shprehin shqetësim për rënien e aftësive të të menduarit kritik te nxënësit, duke e lidhur këtë fenomen me përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale (IA). Ky është përfundimi i një sondazhi të publikuar nga Unioni Kombëtar i Arsimit.

Sondazhi, i realizuar me mbi 9,000 mësues të shkollave shtetërore në Angli, tregon se 66% e mësuesve të arsimit të mesëm besojnë se aftësitë e të menduarit kritik të nxënësve janë përkeqësuar për shkak të përdorimit të IA-së. Në kontrast, këtë mendim e ndajnë 28% e mësuesve në arsimin fillor.

Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale nga vetë mësuesit është rritur ndjeshëm. Rreth 76% e tyre deklarojnë se përdorin mjete të IA-së në punën e përditshme, krahasuar me 53% një vit më parë. Këto mjete përdoren kryesisht për krijimin e materialeve mësimore, planifikimin e orëve dhe për detyra administrative, ndërsa vetëm një pjesë e vogël i përdor për vlerësimin e nxënësve.

Megjithatë, shumë institucione arsimore vijojnë të operojnë pa udhëzime të qarta për përdorimin e kësaj teknologjie. Pothuajse gjysma e mësuesve të anketuar deklaruan se shkollat e tyre nuk kanë politika të përcaktuara për përdorimin e IA-së nga stafi apo nxënësit, ndërsa rreth dy të tretat pohuan mungesën e rregulloreve specifike për përdorimin e saj nga nxënësit.

Sondazhi evidenton gjithashtu një mbështetje të kufizuar për nismat qeveritare që synojnë përdorimin e tutorëve virtualë me inteligjencë artificiale për nxënësit në nevojë. Vetëm 14% e mësuesve e mbështesin këtë ide, ndërsa afro gjysma e tyre shprehen kundër.

Mësuesit ngritën shqetësime të forta edhe për keqpërdorimin e teknologjisë, përfshirë kopjimin dhe varësinë e tepërt nga IA-ja. Një nga të anketuarit u shpreh se “nxënësit po humbasin aftësi thelbësore si të menduarit, kreativitetin, shkrimin, madje edhe aftësinë për të zhvilluar një bisedë”.

Sekretari i përgjithshëm i Unioni Kombëtar i Arsimit, Daniel Kebede, theksoi se gjetjet e sondazhit nënvizojnë rreziqet që sjell përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale në arsim.

“Studentët duhet të jenë në gjendje të mendojnë në mënyrë të pavarur. Kjo është thelbi i të nxënit, por të dhënat tregojnë se mbështetja e tepruar te inteligjenca artificiale po ndikon negativisht në këtë aftësi”, deklaroi ai.

Sipas Kebede, inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet mbështetës për mësimdhënien, por vetëm nëse përdoret në mënyrë të rregulluar dhe nën mbikëqyrje të duhur.

Sondazhi u zhvillua gjatë muajit shkurt dhe pasqyron, sipas sindikatës, përhapjen e shpejtë të inteligjencës artificiale në sistemin arsimor, krahas mungesës së politikave dhe trajnimeve përkatëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit