Transmetuar më 02-04-2026, 20:28

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zhvilloi një takim me asamblenë e kësaj force politike në Njësinë 14 në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal te politikat sociale, duke theksuar se rritja ekonomike ka krijuar bazën për rritjen e qëndrueshme të pensioneve në vitet në vijim. Sipas tij, skema e rritjes është tashmë e planifikuar në mënyrë progresive deri në vitin 2030.

“Janë të gjitha të planifikuara. Rritja e pensionit që u aplikua në janar do të dyfishohet vitin e ardhshëm dhe më pas do të vijojë me rritje të mëtejshme çdo vit deri në 2030”, u shpreh Rama.

Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet për rritje të korrupsionit, duke argumentuar se rritja e të ardhurave në buxhet dhe mundësia për rritjen e pagave e pensioneve dëshmon të kundërtën.

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe procesi i legalizimeve dhe reforma në Kadastra Shqiptare. Rama bëri të ditur se deri më tani janë realizuar rreth 300 mijë legalizime, ndërsa mbeten edhe rreth 70 mijë të tjera për t’u përfunduar.

Ai theksoi nevojën për një sistem më të drejtë dhe transparent, të bazuar në rendin kronologjik të aplikimeve, për të shmangur pabarazitë mes qytetarëve.

Një tjetër element kyç i reformës, sipas Ramës, është digjitalizimi i plotë i sistemit të kadastrës. Ai bëri të ditur se deri tani janë skanuar rreth 54 milionë faqe dokumentacioni dhe se procesi pritet të përfundojë brenda vitit 2027.

“Brenda 2027-s do të kemi çdo gjë të dixhitalizuar, çka do të lehtësojë ndjeshëm shërbimet për qytetarët dhe ndërveprimin me institucionet”, u shpreh Kryeministri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit