Transmetuar më 02-04-2026, 20:17

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Vlorë, ku një 42-vjeçare me inicialet E. L., me profesion mësuese, ka kallëzuar se është dhunuar fizikisht nga një person që, sipas saj, është fqinj i prindërve të saj.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelë, ku e dëmtuara pretendon se fillimisht është ofenduar dhe më pas është sulmuar fizikisht. Ajo ka arritur të largohet dhe të kërkojë ndihmën e policisë.

Sipas dëshmisë së saj, konflikti ka ndodhur pa asnjë shkak të mëparshëm dhe autori është banor në të njëjtin pallat me familjarët e saj.

Në deklarimin e saj, 42-vjeçarja rrëfen se rreth orës 13:00–13:30, teksa po shkonte drejt banesës së prindërve, është përballur me një person të veshur me rroba të zeza dhe me kapuç, i cili i ka bllokuar rrugën dhe e ka sulmuar.

Sipas saj, agresori e ka kapur nga fyti, e ka ofenduar dhe më pas e ka ndjekur deri në banesë, ku ka ushtruar sërish dhunë fizike. Në përpjekje për t’u mbrojtur, ajo pretendon se është goditur në dorë, ndërsa autori i ka marrë dhe i ka dëmtuar telefonin celular, duke e penguar të kërkonte ndihmë.

“Sot rreth orës 13:00–13:30, duke shkuar për në shtëpi, më del përpara një person i veshur me rroba të zeza, me kapuç që i mbulonte pjesërisht fytyrën. Më shtrëngon prej fyti dhe më shan pa asnjë arsye. Me këtë person nuk kam pasur kurrë konflikt. Në moment kam njoftuar policinë dhe, e frikësuar, jam drejtuar në banesën e prindërve të mi. Por ai më ka ndjekur dhe më ka dhunuar sërish, duke më kapur fort nga fyti. Në përpjekje për t’u larguar, më qëlloi në dorë, më mori telefonin dhe e theu që të mos mund të telefonoja askënd”, ka rrëfyer ajo.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të dyshuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit