

Në Gjykata Administrative e Tiranës pritet të zhvillohet ditën e nesërme seanca për shqyrtimin e padisë së paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon shpalljen e pavlefshme të dekretit të vitit 2008 për emërimin e prokurorit Olsi Dado.
Padia synon të kundërshtojë dekretin e firmosur nga ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke pretenduar se emërimi është bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në atë kohë.
Përmes një njoftimi për mediat, përfaqësuesit ligjorë të Veliajt kanë konfirmuar se ai do të jetë i pranishëm në seancën që pritet të nisë në orën 13:00.
Sipas avokatëve, padia ngre një çështje thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës, duke vënë në diskutim ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit penal nga subjekte që, sipas tyre, nuk kanë përmbushur kriteret ligjore për të ushtruar funksionin e prokurorit.
Në kërkesëpadi argumentohet se emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim me ligjin nr. 8737/2001, pasi, sipas pretendimeve, subjekti nuk plotësonte kriteret e përgjithshme dhe të posaçme të parashikuara për këtë funksion. Për rrjedhojë, akti konsiderohet “nul ab initio”, pra juridikisht i pavlefshëm që në momentin e nxjerrjes së tij.
Avokatët theksojnë se çështja tejkalon një rast individual, duke prekur parimin themelor të ligjshmërisë së burimit të pushtetit publik. Sipas tyre, çdo veprim i ndërmarrë nga një funksionar i emëruar në kundërshtim me ligjin mund të jetë i cenueshëm nga pavlefshmëria juridike, përfshirë edhe vendimmarrjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Ndërkohë, Veliaj i është drejtuar edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurorit Dado për shkelje të pretenduara gjatë shqyrtimit të çështjes penale ndaj tij.
Kryebashkiaku ka pretenduar gjithashtu se është fyer nga prokurori gjatë një seance gjyqësore. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 13 shkurtit të vitit të kaluar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






