

Pak ditë pas shkarkimit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunëtorët dhe institucionet me të cilat ka punuar gjatë dy viteve në krye të sistemit penitenciar.
Në mesazhin e tij, Qose falënderoi punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë, si dhe Kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin Ulsi Manja dhe ministrin aktual të Drejtësisë, Toni Gogu, për mbështetjen gjatë detyrës.
Ai gjithashtu shprehu falënderime ndaj ambasadorëve dhe stafit të SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Itali, Holandë dhe Turqi, si dhe ndaj përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe OSBE-së për kontributin e tyre në forcimin e sistemit penitenciar dhe përafrimin e tij me standardet europiane.
Qose përmendi projektet dhe përmirësimet kryesore të periudhës së tij në detyrë, duke përfshirë:
Modernizimin e infrastrukturës së burgjeve, ndërtimin e burgut të ri në Kukës dhe restaurimin e IEVP-ve ekzistuese;
Vendosjen e sistemeve antidron dhe sigurimin e automjeteve të blinduara për transportin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë;
Rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të punës për stafin, përfshirë krijimin e qendrave trajnimi dhe ofrimin e bursave dhe kredive të buta për punonjësit;
Digjitalizimin e sistemeve elektronike dhe përmirësimin e shëndetit dhe mbrojtjes nga aksidentet për të gjithë punonjësit;
Integrimin e komuniteteve fetare dhe punës së psikologëve në strukturën e institucioneve; Hartimin e projekteve për laboratorë testimi dhe një spital të ri psikiatrik dhe forensik për të dënuarit.
Në përfundim, ish-drejtori uroi drejtorin e ri, Ardiatik Kupi, për vijimin e reformave dhe forcimin e sistemit penitenciar, duke falënderuar gazetarët dhe të gjithë ata që kontribuan gjatë rrugëtimit të tij dyvjeçar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






