

Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka ngritur shqetësime mbi zhvillimet e fundit që lidhen me Iranin dhe pasojat e mundshme për rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Bolton theksoi se mungesa e një strategjie të qartë nga administrata amerikane e bën situatën të paparashikueshme dhe rrit rrezikun e një konflikti të zgjatur.
Sipas tij, mesazhet kontradiktore nga Uashingtoni kanë krijuar paqartësi mbi objektivat e vërtetë, duke përmendur deklaratat e ndryshme të Donald Trump për tërheqje, shpallje fitoreje dhe ndryshim regjimi.
Bolton u shpreh se rrëzimi i regjimit në Iran mbetet objektivi i vetëm që mund të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si një kërcënim për shkak të ambicieve bërthamore dhe mbështetjes ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Megjithatë, ai pranoi se një skenar i tillë është i vështirë për t’u realizuar dhe mund të shoqërohet me periudha pasigurie.
Duke analizuar situatën aktuale, ai shtoi se strukturat e regjimit iranian, përfshirë Garda Revolucionare Islamike, janë dobësuar, por ende jo në nivelin e rrëzimit.
Sa i përket Shqipërisë, Bolton paralajmëroi për rreziqe të mundshme për shkak të strehimit të opozitës iraniane në vend, ndërsa theksoi se Shqipëria duhet të ketë mbështetje të veçantë nga aleatët për garantimin e sigurisë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Ambasada e SHBA në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për sulme të mundshme nga Iran ndaj objekteve të lidhura me interesat amerikane, përfshirë kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se strukturat e sigurisë janë në gatishmëri, por theksojnë se aktualisht nuk ka një kërcënim konkret bazuar në informacionet në dispozicion.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






