

Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Comiso, nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme në banesën e ish-partneres së tij.
Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në zonën “Corso Ho Chi Min”, ku i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin apartamentit duke përdorur lëndë të ndezshme, pas një konflikti të radhës mes tyre.
Flakët, sipas raportimeve të zjarrfikësve, shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesë, por nuk u përhapën në ndërtesat përreth.
Si pasojë e incidentit, të dy personat mbetën të lënduar dhe u transportuan për trajtim në spitalin Ospedale Guzzardi. Burime mjekësore bëjnë me dije se, pavarësisht djegieve në trup dhe helmimit nga monoksidi i karbonit, gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën.
Pas daljes nga spitali, i dyshuari u arrestua dhe u transferua në burgun e Ragusa, ku po mbahet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i ngjarjes dyshohet të jenë konfliktet e vazhdueshme mes çiftit dhe ndarja e fundit, të cilën i dyshuari nuk e kishte pranuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






