Transmetuar më 02-04-2026, 11:04

Ministri Besfort Lamallari iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me një rrezik të mundshëm nga Irani, pas një njoftimi të publikuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Lamallari deklaroi se institucionet shqiptare kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën amerikane dhe se nuk ka asnjë informacion konkret për kërcënime ndaj Shqipërisë.

“Është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion, qoftë edhe inteligjencë, në lidhje me një sulm të mundshëm,” u shpreh ai.

Sipas ministrit, postimi i ambasadës është pjesë e një serie njoftimesh të ngjashme të publikuara në vende të ndryshme dhe nuk lidhet me një rrezik specifik për Shqipërinë.

Lamallari theksoi se strukturat e sigurisë, përfshirë njësitë anti-terror, kanë marrë masa shtesë dhe janë në gatishmëri për çdo situatë.

Ai kritikoi opozitën për interpretimin selektiv të deklaratave të ambasadës.

“Postimet e ambasadës i lexoni vetëm kur flitet për Iranin, jo kur flitet për protesta me molotov,” deklaroi Lamallari.

Ministri shtoi se, pavarësisht debatit politik, Shqipëria mbetet një vend i sigurt dhe institucionet janë në ndjekje të vazhdueshme të çdo informacioni që lidhet me sigurinë kombëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit