

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mundësia për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian mbetet e hapur, por paralajmëroi se kjo dritare mund të mbyllet nëse nuk shfrytëzohet në kohën e duhur.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentë, Rama theksoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, ku mund të bëjë hapa vendimtarë drejt integrimit europian.
“Është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera,” u shpreh ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, pavarësisht angazhimit të Shqipërisë, vendimmarrja përfundimtare mbetet në dorën e vendeve anëtare të BE-së, të cilat mund të ndryshojnë qëndrim në varësi të rrethanave.
“Dera mund të mbyllet pas një viti, dy apo tre vitesh. Ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë ‘prit njëherë’,” paralajmëroi Rama.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të fokusohet maksimalisht në këtë periudhë për të avancuar reformat dhe për të përmbushur kushtet e nevojshme për anëtarësim.
Sipas tij, integrimi në BE përbën “politikën e madhe” për vendin, ndërsa debatet e brendshme politike i cilësoi si çështje dytësore në krahasim me këtë objektiv strategjik.
Deklaratat e Ramës vijnë në një fazë kyçe të negociatave, ku Shqipëria synon të përparojë më tej në procesin e integrimit europian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






