

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj, ku u ndal te ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian dhe perspektiva europiane e vendit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment të favorshëm historik, duke nënvizuar se vendi nuk ka pasur më parë një mundësi kaq të madhe për anëtarësim në BE.
Ai sqaroi se integrimi nuk duhet parë si një “rrugë drejt parajsës”, por si një proces që garanton më shumë siguri dhe stabilitet për qytetarët shqiptarë.
“Asnjëherë më parë Shqipëria nuk e ka pasur një mundësi kaq të favorshme për të ardhmen e saj europiane,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se anëtarësimi në BE do t’u japë shqiptarëve më shumë mbrojtje dhe mundësi, duke e konsideruar këtë proces si një hap të rëndësishëm historik.
Duke folur për sfidat e vendeve të vogla, Rama nënvizoi rolin e faktorëve ndërkombëtarë në procesin e integrimit.
“Fatin e të vegjëlve e vendosin të mëdhenjtë. Edhe nëse një vend i vogël i bën detyrat e shtëpisë, vendimmarrja finale varet nga vullneti i vendeve të mëdha,” deklaroi ai.
Sipas tij, aktualisht ekziston një klimë më pozitive në arenën ndërkombëtare, pasi vendet e BE-së janë më të prira për të avancuar procesin e zgjerimit.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim, një proces kyç për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






