

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare të radhës, e cila pritet të nisë në orën 10:00, me një rend dite të ngarkuar me çështje politike dhe ligjore.
Në fokus të seancës do të jenë interpelancat me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Interpelanca me Lamallarin është kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ndërsa ajo me kreun e qeverisë është iniciuar nga deputetja Jorida Tabaku.
Po ashtu, ministri Lamallari do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve në dy seanca të veçanta pyetje–përgjigje, të kërkuara nga ligjvënësit Arian Ndoja dhe Erald Kapri.
Në rendin e ditës përfshihet edhe shqyrtimi i disa projektligjeve me rëndësi, mes të cilave ai për aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi ligjin e markave tregtare, si dhe projektligje të tjera që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe përditësimin e legjislacionit ekzistues.
Ndër çështjet që pritet të marrin miratim janë edhe ndryshimet në ligjin për parqet teknologjike dhe shkencore, si dhe në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të votojë për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës dhe të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Seanca do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ndërsa pritet të shoqërohet me debat politik mbi zhvillimet aktuale në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






