Transmetuar më 01-04-2026, 21:19

Të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë po konsumojnë gjithmonë e më pak pije alkoolike, sipas studimeve të fundit, që tregojnë një largim të brezave të rinj nga ky zakon, i cili më parë rendiste rajonin europian në vendin e parë për alkoolpirjen.

Megjithatë, mjekët toksikologë paralajmërojnë për një fenomen shqetësues: adoleshentët po i drejtohen përdorimit të drogës, veçanërisht kokainës, shpesh në kombinim me alkoolin.

“Me kalimin e kohës përdorimi i substancave është rritur. Në urgjencë, por edhe në shërbimin e toksikologjisë, pacientët që kërkojnë ndihmë për alkoolin dhe substancat janë shtuar. Flasim për moshën mbi 14 vjeç që janë prezentë në pjesën e urgjencës. Kemi konsumimin e marijuanës, kokainës dhe të alkoolit, por edhe drogave të ndryshme sintetike që mund të jenë në qarkullim. Kokaina dhe alkooli po përdoren më shumë. Grupmosha më e shpeshtë që vjen janë të rinjtë,” tha Matilda Kambo, toksikologe në QSUT.

Toksikologët shtojnë se të rinjtë që përdorin rregullisht lëndë narkotike paraqiten në urgjencë me simptoma si ankth, rrahje të shpeshta të zemrës, ndjesi të mungesës së frymëmarrjes, paranojë akute dhe ndryshime të humorit. Përdorimi i drogës, përveç rrezikut të varësisë, shkakton edhe probleme të rëndësishme shëndetësore, përfshirë ato që lidhen me shëndetin mendor.

Ky trend paralajmëron nevojën për ndërhyrje të shpejtë në edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve, si dhe për rritjen e monitorimit dhe shërbimeve mbështetëse për parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike në grupmoshat adoleshente.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit