Transmetuar më 01-04-2026, 21:16

Një raport i fundit mbi kujdesin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor tregon se Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht në familje për kujdesin e të moshuarve dhe personave në nevojë, ndryshe nga modeli europian, ku roli kryesor i takon shërbimeve publike dhe profesionale. Situata është e ngjashme edhe në Kosovë, ku modeli tradicional mbetet baza e kujdesit social.

Në praktikë, kjo do të thotë se shumica e personave që kanë nevojë për asistencë mbështeten te të afërmit e tyre, shpesh pa pagesë dhe pa mbështetje të mjaftueshme nga shteti. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të rajonit kanë adoptuar modele të përziera, ku kujdesi ofrohet përmes qendrave rezidenciale, shërbimeve në komunitet dhe kujdesit profesional në shtëpi.

Raporti evidenton disa sfida kryesore për Shqipërinë: kapacitetet publike mbeten të kufizuara, shërbimet në shtëpi janë të pakta, dhe diferencat mes zonave urbane dhe rurale e bëjnë aksesin më të vështirë. Mungesa e koordinimit mes sistemit shëndetësor dhe atij social pengon ofrimin e shërbimeve të integruara për personat që kanë nevojë për kujdes afatgjatë.

Për më tepër, Shqipëria përballet me plakje të shpejtë të popullsisë dhe emigracion të lartë të të rinjve, duke reduktuar numrin e personave të disponueshëm për të kujdesur për të afërmit. Kjo situatë rrit kërkesën për kujdes, ndërsa burimet njerëzore brenda familjes po pakësohen.

Raporti nënvizon se modeli aktual nuk është i qëndrueshëm dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme: rritje të investimeve, zhvillim të shërbimeve dhe integrim më të ngushtë të sistemit social me atë shëndetësor për të siguruar një kujdes afatgjatë të qëndrueshëm dhe të efektshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit