

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar përcaktimin e masës së financimit për bashkësitë fetare në buxhetin e vitit 2026, në mbështetje të aktiviteteve dhe funksionimit të tyre.
Sipas vendimit, fondi total arrin në 203 milionë lekë dhe do t’u shpërndahet komuniteteve fetare që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare.
Nga kjo shumë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton 57.3 milionë lekë, të destinuara për mbështetjen e stafit administrativ dhe punonjësve në institucionet arsimore.
Ndërkohë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kisha Katolike në Shqipëri përfitojnë nga 48.6 milionë lekë secila, të ndara mes administratës dhe institucioneve të arsimit që operojnë nën juridiksionin e tyre.
Po ashtu, Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton 48.5 milionë lekë. Përveç mbështetjes për administratën, një pjesë e fondit do të përdoret për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër, si dhe për të mbuluar nevoja të tjera që lidhen me rolin e saj ndërkombëtar.
Vendimi parashikon që fondi të disbursohet i plotë brenda muajit prill 2026, ndërsa zbatimi i tij do të ndiqet nga Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






