

Ishulli i Kretës në Greqi është përfshirë nga një valë e fortë pluhuri afrikan, duke krijuar kushte të pazakonta atmosferike dhe shqetësim për banorët.
Qyteti i Heraklion është ndër zonat më të prekura, ku përqendrimi i grimcave në ajër ka arritur nivele ekstreme. Sipas të dhënave të Observatorit Kombëtar të Athinës, të publikuara përmes platformës Meteo.gr, ndotja ka shkuar deri në 1000 mikrogramë për metër kub, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe shëndetin publik.
Fenomeni ka sjellë edhe ulje drastike të dukshmërisë. Në Aeroportin “Nikos Kazantzakis”, autoritetet raportojnë se dukshmëria ka rënë në vetëm 600 metra, nga rreth 10 kilometra në kushte normale.
Kjo situatë ka shkaktuar ndërprerje në trafikun ajror. Sipas mediave lokale, aktualisht po realizohen vetëm ngritje avionësh, ndërsa fluturimet për ulje janë devijuar drejt aeroporteve të tjera të ishullit.
Meteorologët paralajmërojnë se fenomeni mund të vijojë edhe në ditët në vijim, me mundësi për valë të reja pluhuri nga Afrika Veriore, duke mbajtur në alarm autoritetet dhe popullsinë lokale.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






