Transmetuar më 01-04-2026, 19:02

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se qeveria shqiptare është duke shqyrtuar mundësinë e rikthimit të një skeme subvencionimi për transportin publik, në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve.

Gjatë një prononcimi për mediat, Karakaçi bëri të ditur se është zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Transportit Publik, si dhe me institucione të tjera, për të diskutuar situatën aktuale dhe ndikimin e saj në kostot e operimit.

Sipas tij, rritja e çmimeve të hidrokarbureve, e ndikuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, po ndiqet me vëmendje nga autoritetet. Ai theksoi se ndër masat e para të ndërmarra janë mekanizmat e Bordit të Transparencës dhe rishikimi i elementeve fiskale si akciza.

Ministri nënvizoi se një nga opsionet në diskutim është rikthimi i skemës së subvencionit të aplikuar më parë gjatë vitit 2022, e cila u përdor për të përballuar rritjen e çmimeve në atë periudhë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të sektorit kanë paralajmëruar mundësinë e rritjes së çmimit të biletave, nëse nuk do të ketë mbështetje financiare nga qeveria. Kjo e bën vendimmarrjen përfundimtare të varur nga masat që do të ndërmerren në vijim për të amortizuar kostot e operatorëve.

Aktualisht, nuk ka një vendim zyrtar për rritjen e çmimeve, ndërsa diskutimet mes palëve vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit