Transmetuar më 01-04-2026, 14:21

TIRANË, 1 prill 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për dështim në mbrojtjen e konsumatorëve, duke theksuar se rritja e çmimeve në vend ka arritur nivele më të larta se në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Shqipëria disponon kuadër ligjor të përshtatshëm për mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit, por sipas tij, problemi qëndron te moszbatimi i ligjeve dhe kapja e institucioneve përgjegjëse.

Ai paralajmëroi se Partia Demokratike do të ndërmarrë një “luftë frontale” ndaj oligopoleve, duke synuar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe uljen e kostos së jetesës.

Sipas Berishës, një ndër faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e çmimeve është niveli i lartë i taksave, veçanërisht mbi karburantet, të cilat, sipas tij, janë ndër më të lartat në Evropë dhe reflektohen drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Ai theksoi se rritja e çmimeve nuk kufizohet vetëm te karburantet, por prek edhe produktet bazë të konsumit, si ushqimet, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e familjeve shqiptare.

Në këtë kuadër, Berisha deklaroi se alternativa e Partisë Demokratike përfshin politika fiskale me taksa më të ulëta dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës për të parandaluar abuzimet në treg.

Duke kritikuar institucionet përgjegjëse për konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, ai shtoi se këto struktura, sipas tij, nuk po reagojnë ndaj shkeljeve, duke lejuar rritjen e çmimeve në mënyrë të pakontrolluar.

Në përfundim, Berisha theksoi se kontrolli i tregut dhe garantimi i konkurrencës së ndershme mbeten prioritete kryesore për Partinë Demokratike, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve nga kostot e larta të jetesës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit